Pas reshjeve të vazhdueshme të borës në Kosovë, Ministria e Infrastrukturës thotë se të gjitha rrugët që janë në menaxhimin e saj janë në gjendje të mirë.
Lajmin për Telegrafin e ka bërë të ditur shefi i Departamentit të Mirëmbajtjes së Rrugëve në MI, Gëzim Osmani, duke shtuar se shoferët të kenë kujdes gjatë ngasjes në viset malore.
“Gjendja e rrugëve në tërësi është e mirë. Të gjitha rrugët janë të qarkullueshme për automjete, në rrugët në viset malore vozitje me kujdes të shtuar. Kompanitë e MVD-së të kontraktuara nga MI-ja gjatë tërë kohës punojnë në përmirësimin e gjendjes së rrugëve”, tha Osmani.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.
Sipas IHK-së, vranësirat vende-vende mund të sjellin fjolla të dobëta bore.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -8 deri -6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -2 deri -1 gradë Celsius. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi i verilindjes. /Telegrafi/