Site icon Telegrafi

Ministria e FSK-së jep tender njëburimor 2.7 milionësh

Foto: Ilustrim

Ministria e Forcës së Sigurisë ia ka dhënë edhe një kontratë pa tender publik kompanisë “Netra”. Kontrata që i është dhënë kësaj kompanie ka një vlerë prej rreth 2.7 milionë eurosh, e cila është e ndarë në dy llote, shkruan sot Koha Ditore.

E njëjta kompani kishte fituar edhe një kontratë prej rreth 1 milion eurosh vitin e kaluar. Kompania “Netra”, kur i është dhënë kontrata e parë, ka qenë me qendër në Maqedoni, ndërsa ishte regjistruar vetëm përfaqësia e saj në Kosovë, kurse personi kontaktues ka qenë Arif Berbati, një ish-pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Që nga viti 2009 kjo kompani ka marrë disa kontrata pa iu nënshtruar konkurrencës së lirë. Më vonë kjo kompani ka regjistruar një biznes në Kosovë me të njëjtin emër, “Netra Sh.P.K”. Fillimisht pronar të kësaj kompanie kanë qenë Ivan Pape dhe Kiril Nikolovski, bazuar në raportimin në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, ndërsa Arif Berbati ka qenë vetëm person kontraktues.
Kurse tashmë Arif Berbati figuron si bashkëpronar në kompaninë “Netra”, së bashku me Ivan Pape dhe Kiril Nikolovski. /Telegrafi/

Exit mobile version