Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka njoftuar se gjatë ditës së sotme kanë ekzekutuar edhe pagesat për masën 7 të Pakos Emergjente Fiskale.
Bajrami përmes një postimi në Facebook, ka dhënë edhe detaje për numrin e përfituesve individual që kanë përfituar nga kjo masë, e cila u është ndarë punëtorëve të rrezikuar gjatë përballjes me pandeminë COVID-19.
“Ju informoj se sot kemi ekzekutuar këto pagesa: Masa 7 (100 Euro për punëtoret e rrezikuar): Pagesa për 14,838 përfitues individual, në shumë totale prej 1,288,656.00 euro, prej të cilave: 14, 604 nga një pagesë (85.5€), në shume totale 1,248,642.00€ dhe 234 përfitues nga dy pagesa (2*171.00€), në shumë totale 40,014.00€”, tha Bajrami.
Bajrami po ashtu tha se në ditët në vazhdim dalin pagesat e qirasë për biznese.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka aprovuar Planin për Zbatimin e Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike në shumë prej 365 milionë euro.
Kurse, Ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Dardan Sejdiu, ka thënë se shuma e ndarë nga Qeveria e Kosovës për Rimëkëmbje Ekonomike është shumë e vogël për vendin.
Përmes një postimi në Facebook, Sejdiu tha se edhe një autodidakt në ekonomi mund të ju mbajë leksione se me 1 milionë euro në ditë nuk mundet të bëjnë rimëkëmbje ekonomike. /Telegrafi/