Ministria e Drejtësisë nuk do ta komentojë vendimin e ekspertëve të Komisionit të Venecias për Ligjin e Gjuhëve, derisa nuk bëhet zyrtare.
“Mendimi i ekspertëve të Komisionit të Venecias është klasifikuar deri në miratimin e tij nga komisioni kur bëhet zyrtar. Deri në zyrtarizimin e tij nuk do ta komentojmë, ndërsa sapo të miratohet, do ta fillojmë procesin e zbatimit të rekomandimeve të përmbajtura në të”, thonë për AIM nga Ministria e Drejtësisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas vlerësimeve të Komisionit, siç njoftoi “Plusinfo”, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve mund ta rrezikojë funksionimin e tërë sistemit gjyqësor.
“Shumë dispozita të Ligjit të Gjuhëve (nga viti 2018) i tejkalojnë standardet evropiane të definuara veçanërisht në Konventën kornizë për mbrojtje të pakicave kombëtare dhe Kartës evropiane për gjuhë të pakicave dhe rajonale. Kjo në parim është për lëvdatë. Komisioni i Venecias e përshëndet gatishmërinë e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për përmirësimin e gjendjes gjuhësore të bashkësive të pakicave”, thuhet në vendimin e Komisionit, i cili akoma nuk është zyrtarizuar.
Sipas mendimit të Komisionit të Venecias, në rajone të caktuara ligji shkon shumë larg, duke futur obligime juridike joformale me të cilat parashikohet përdorimi i gjuhës shqipe në procedura gjyqësore, të cilat janë formuluar në mënyrë aq të gjerë që me siguri do të kërkonin përgatitja shumëvjeçare të zbatohet në tërësi./Telegrafi/