Site icon Telegrafi

Ministria e Drejtësisë: Këshilli Gjyqësor pesë muaj nuk ndërmerr asnjë masë ndaj kryetarit të Gjykatës Themelore të Kumanovës

Ministria e Drejtësisë në RMV thotë se se përkundër vërejtjeve dhe shkresave për parregullsitë e konstatuara në punën e Gjykatës Themelore të Kumanovës, Këshilli Gjyqësor është duke zvarritur dhe nuk vepron sipas Raportit, i cili është përgatitur nga ana e tyre dhe i cili është publikuar publikisht në ueb faqen e Këshillit.

Nga ministria thonë se Këshilli Gjyqësor më 1 shkurt të këtij viti ka bërë një vizitë pune në Gjykatën Themelore të Kumanovës dhe ka përgatitur Raport në të cilin janë konstatuar një sërë shkeljesh të reputacionit të funksionit të gjykatësit, shkelje të rënda të parimit të mos diskriminimit në çdo bazë, përdorimi i fjalorit të papërshtatshëm, fyerje dhe nënçmimi i të punësuarve nga UD Kryetari i gjykatës, si dhe keqpërdorimi me sistemin AKMIS, gjë që ndikon shumë në marrëdhëniet dhe punën e gjykatës.

“Duke marrë parasysh se Raporti është publikuar, Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga më 11 prill, i ka dërguar shkresë Këshillit Gjyqësor, ku ka kërkuar të ndërmerren masa apo veprime të duhura në lidhje me pretendimet e konstatuara, veçanërisht për shkak të asaj se shqyrtimi i Raportit ishte në rend dite në seancën e Këshillit Gjyqësor të mbajtur më 13 mars”.

“Në Raport janë cekur edhe keqpërdorimet e sistemit AKMIS, përjashtimi i gjyqtarëve të caktuar nga shpërndarja automatike e lëndëve. Nga këqyrja në lëndët në grupin punues është konstatuar se procedura është zgjatur shumë dhe është stërzgjatur, si dhe verifikimi i lëndëve në sistemi AKMIS ishte i parregullt dhe jo azhur”.

“Nga Këshilli Gjyqësor, më 12 prill, kemi marrë njoftim se shkresa i është dorëzuar për njohje dhe kompetencë dhe veprim të mëtutjeshëm, koordinatorit për monitorimin e punës së Gjykatës Themelore Kumanovë, anëtarit të Këshillit Hanif Zendeli”.

“Përgjigje nuk morëm, pas së cilës Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, më 22 qershor i ka dërguar sërish Këshillit Gjyqësor URGJENCË për të vepruar sipas kërkesës për gjendjen e konstatuar në Raport. Nga 8 pikat e paraqitura, 7 i referohen kushteve në gjykatë për konstatimin e marrëdhënieve të prishura nder njerëzore dhe raportin jo korrekt të UD Kryetarit të gjykatës ndaj disa të punësuarve”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Më tej shtojnë se më 29 qershor nga ana e zv.kryetarit të Këshillit Gjyqësor, Hanif Zendeli, është dërguar përgjigje se është përgatitur Raport shtesë, i cili duhet të shqyrtohet në seancën e Këshillit Gjyqësor, pas së cilës do të na informojnë për gjendjen e konstatuar.

“Ministria e Drejtësisë i bën thirrje edhe një herë Këshillit Gjyqësor që të veprojë në përputhje me kompetencat e tij, sepse mos dënimi i rasteve të tilla, do të çojë në dëmtimin e mëtejshëm të reputacionit të Këshillit, e me këtë edhe në uljen e besimit tek gjyqësori. Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë të jetë transparente dhe do të informojë publikun për të gjitha situatat që dëmtojnë reputacionin dhe besimin tek gjyqësori”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.

Exit mobile version