Site icon Telegrafi

Ministria e Bujqësisë do të ndaj 25 milionë euro për subvencione

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), ka hapur fazën e aplikimit për pagesa direkte dhe subvencione për disa kultura dhe veprimtari bujqësore.

Isuf Cikaqi, drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrin e Bujqësisë, ka treguar se në Programin për Pagesa Direkte 2017, MBPZHR ka planifikuar një buxhet prej 25 milionë eurove dhe afati për aplikim është deri më 27 mars.

“Ftoj fermerët që sa më parë të aplikojnë dhe të mos presin ditën e fundit”, ka theksuar Cikaqi sot në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK.

Sipas tij, ka rritje prej dy milionë eurove për subvencione dhe kjo është e mirëseardhur. “Ministria e Bujqësisë, në programin e sivjetmë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elbin, për thekrën, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për pulari, për bletari, për derrari, për thëllëza, për pemishtet ekzistuese, për perimet në fushë të hapur, për vreshtat ekzistuese, për bujqësinë organike, si dhe për fidane të pemëve drufrutore dhe hardhi të rrushit. Po ashtu, subvencionim do të ketë edhe për akuakulturën, therjet e raportuara të gjedhit, për qumështin sipas kategorive të cilësisë dhe për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht”, ka theksuar Cikaqi.

Secili përfitues sipas tij, që do të përfitojë subvencionet edhe nëse nuk mjafton buxheti, ai do të mund të përfitojë në vitin vijues. “Në sektorin e grurit do të kemi më shumë aplikues pasi që është sektor më i gjerë”, ka thënë ai.

Cikaqi ka bërë me dije se në sektorët përfitues do të ketë përshkallëzim të pagesave. Ai ka bërë me dije se nga viti në vit ka ndryshime. “Ka afat prej 40 ditësh për aplikim. Një prej dukurive që e kemi e vërejtur, është se fermerët e lënë për fund. Nëse do të mund të aplikonin që në ditët e para mund të aplikojnë të gjithë”, ka thënë ai.

Cikaqi ka bërë me dije se ka shumë fermerë të rinj që aplikojnë. “Nga viti në vit fermerët po bëjnë përvojë dhe po aplikojnë. Ne jemi duke punuar që aplikacionin ta kemi online. Tani mund të marrin në drejtoritë komunale në formë të shtypur”, ka thënë ai.

Sipas tij, ata janë të interesuar që fermerët të mos bëjnë gabime. “Për një muaj deri nj një muaj e gjysmë, do të mund të bëhet kontrollimi i aplikacioneve. Pra ky afat është pas përfundimit të aplikimit që është më 27 mars 2017./Telegrafi/

Exit mobile version