Site icon Telegrafi

Ministria e Arsimit reagon ndaj rasteve të lëndimit të nxënësve nga TikTok

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka reaguar pas rasteve të fundit të lëndimit të nxënësve për shkak të ndikimeve nga platforma “TikTok”.

Ministria thotë se i ka drejtuar një shkresë të gjitha komunave të Kosovës, duke rikujtuar rëndësinë e zbatimit të politikave për mbrojtjen e fëmijës.

Sipas komunikatës, Politika për Mbrojtjen e Fëmijës në Arsimin Parauniversitar, e hartuar në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, synon të krijojë një mjedis të sigurt për të gjithë nxënësit në institucionet arsimore publike dhe private në Kosovë.

MAShTI ka kërkuar që ky dokument të shpërndahet te drejtorët e shkollave, të cilët duhet ta përcjellin te stafi arsimor, për t’u lexuar dhe nënshkruar.

Po ashtu, MAShTI njoftoi se aktualisht po mbahen seanca informuese me komunat lidhur me këtë dokument.

Deri më tani, seanca të tilla janë zhvilluar në Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Klinë dhe Prishtinë, ndërsa do të vazhdojnë në komunat e tjera, përfshirë Lipjanin, Shtimen, Fushë Kosovën, Graçanicën, Obiliqin dhe të tjerat.

Ministria ka theksuar nevojën për një qasje proaktive nga stafi arsimor në parandalimin, identifikimin dhe raportimin e rasteve që përfshijnë lëndime apo rreziqe për fëmijët.

MAShTI gjithashtu ka zhvilluar fushata ndërgjegjësuese për sigurinë në internet, duke promovuar përdorimin e sigurt të internetit në shkolla.

“Çdo vit, në përputhje me kërkesën e ministrisë, shënohet Dita e Internetit të Sigurt me aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese”.

Ky reagim erdhi pasi më 11 tetor 2024, tetë nxënës të një shkolle në një fshat të Kamenicës kanë tentuar të lëndojnë njëri-tjetrin duke imituar një lojë të rrezikshme në “TikTok”.

Po ashtu, më 8 tetor, në Gjakovë, janë raportuar 13 raste të nxënëseve që janë vetëlënduar duke përdorur mjete të mprehta.

Në total, deri më tani janë raportuar 19 raste të tilla në këtë komunë.

MAShTI bën thirrje për vigjilencë dhe bashkëpunim të ngushtë të të gjithë aktorëve të përfshirë në mbrojtjen e fëmijëve./Telegrafi/

Exit mobile version