Site icon Telegrafi

Ministri Zemaj: Në dy ditët e fundit në IKSHPK mungojnë testet, diaspora do të sigurojë 12 mijë sosh

Foto: Arkiv

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj para deputetëve shprehu shqetësimin e tij për mungesën e testeve në Institutin Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).

Zemaj tha se në dy ditët e fundit ka mungesë të madhe të testeve, por siç tha ai diaspora do të sigurojë 12 mijë teste të cilat do të dërgohen në IKSHPK.

“Me lejoni të theksoj se vetëm dy ditët e fundit, nga IKSHPK informacioni i saktë është që mungojnë testet në masë të madhe dhe kjo ka qenë shqetësuese për mua. Sot përmes atyre që iu shkon falënderimi i madh, diasporës do të sigurohen 12 mijë teste dhe do të dërgohen në IKSHPK. Ne do t’i shqyrtojmë dhe kërkesën e deputeteve për mjek specializantë”, ka thënë ministri Zemaj.

Ai po ashtu kërkoi nga deputetët që të menaxhojnë gjuhën e tyre kur flasin për situatën pandemike në vend, pasi siç tha ai bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve.

“Nuk duhet të krijojmë panik në opinion, pasi bëhet fjalë për shëndetin e qytetarëve të vendit. Jam i hapur çdo herë ndaj jush, edhe në aspektin e funksionit që ju e ushtroni. Ju kisha lut para se të deklaroheni, drejtohuni Ministrisë së Shëndetësisë për informata”, tha ai. /Telegrafi/

Exit mobile version