Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i ka mbrojtur gjinekologet e arrestuara për rastin e pacientes së vdekur, Arbenita Spahiu, në Gjinekologjinë e Gjilanit.
“Duhet t’ia lëmë në duar drejtësisë, nga e njëjta gjinekologe kanë lindur 2 fëmijët e mi, s’besoj që ka bërë ndonjë gjë me qëllim”, ka thënë ministri Rrahmani në Rrokum TV.
E për keqpërdorim të detyrës nga mjekët, Rrahmani tha se këto probleme duan kohë dhe se duhet të dënohet individi e jo i tërë stafi.
“Gjithmonë në shëndetësi është bërë zhurmë, ose ndaj ministrave, ose ndaj sistemit”, ka thënë Rrahmani.
“Me vite në shëndetësi kanë ndodhë afera të ndryshme e kjo ka bërë të mendojmë se çdo gjë në shëndetësi është keq, nuk po vërehen gjërat e mira”, ka thënë Rrahmani në “Rrokum Roll” rreth gjendjes së shëndetësisë në Kosovë.
Duke thënë se në shëndetësi nuk ka pasur qasje serioze, Rrahmani theksoi se tash është duke u bërë një qasje e re.
“Na po mundohemi që me kapacitetet e inspektoratit, dhe me anë të takimeve në qendra të shëndetësisë, të bëjmë një punë më të mirë në sistemin shëndetësor”, ka thënë Rrahmani.
Rrahmani tha se me kabinetin qeveritar janë duke u munduar ta krijojnë Fondin e Sigurimeve, dhe të krijojnë mundësi të reja shëndetësore.
“I kemi përvjelë krahët, e me ekipe të eksperteve jemi qasur në këtë punë”, ka thënë ai për krijimin e fondeve shëndetësore, për të cilat tha se nuk janë alfa dhe omega për zgjidhjen e problemeve, por është një segment i mire për zhvillimin e shëndetësisë.
https://www.youtube.com/watch?v=NHzYG5h9Ick