Telegrafi

Ministri i Sportit, Çeku konfirmon marrëveshjen me FFK për rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) Hajrulla Çeku, përmes një njoftimi në rrjetet sociale ka konfirmuar se kanë nënshkruar memorandum me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për rinovimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.

Sipas këtij memorandumi, rreth 1.3 milionë euro pritet të shpenzohen në rindërtimin e tërësishëm të impiantit “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

“Sot kemi nënshkruar memorandum me Federatën e Futbollit të Kosovës. Bashkë do të investojmë 1.3 milion euro për rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit Fadil Vokrri”

“Punimet do të nisin së shpejti dhe stadiumi do të jetë i gatshëm për ndeshje vendore dhe ndërkombëtare”.

“Vazhdojmë me shumë punë të mira anekënd Kosovës për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit”, thuhej në postimin e Çekut në Facebook.

Shkaku i mungesës së stadiumit, Kosova tri ndeshjet e ardhshme miqësore në mars dhe qershor do t’i zhvillojë jashtë vendit.

Kosova në mars do të luajë ndaj Hungarisë dhe Armenisë, ndërsa në qershor kundër Norvegjisë./Telegrafi/