Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj gjatë takimit që pati me koordinatorin për Ballkanin dhe Moldavinë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Abebayehu Assefa Mengistu kanë biseduar për menaxhimin e situatës epidemiologjike në vend dhe në rajon.
Zemaj përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se me OBSh-në dhe partnerët tjerë janë duke zhvilluar aleanca për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, kur të njëjtat të jenë aprovuar për përdorim.
Ai po ashtu tha se OBSh-ja ka asistuar në përgatitjen e manualit për mbrojtje nga përhapja e COVID-19 si dhe me donacione tjera të rëndësishme.
Lexoni më poshtë statusin e ministrit Zemaj:
Gjatë takimit të sotëm me Abebayehu Assefa Mengistu koordinator për Ballkanin dhe Moldavinë i Organizatës Botërore të Shëndetësisë si dhe me zyrtarë të tjerë të kësaj organizate, biseduam rreth menaxhimit të situatës epidemiologjike në vend dhe në rajonin e Ballkanit. OBSh mbetet partner i yni strategjik në luftimin e pandemisë duke na qëndruar afër gjatë kësaj kohe dhe asistuar si në përgatitjen e “Manualin për Mbrojtje nga përhapja e COVID-19”, me donacione të rëndësishme, përfshirë këtu edhe aparaturën për RT-PCR, të sjellë së fundi me çka IKSHPK-së i janë shtuar kapacitet për testime molekulare për COVID-19. Me OBSh-në dhe partnerët tjerë po zhvillojmë aleanca edhe për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, kur të njëjtat të jenë aprovuar për përdorim. Shpreha falënderimin tim për përkrahjen e rëndësishme që OBSh po i ofron Kosovës, ndërsa Abebayehu Assefa Mengistu, e vlerësoi lartë menaxhimin e pandemisë në Kosovë. /Telegrafi/