Qeveria e Kosovës e ka ri proceduar në Kuvend marrëveshjen e kredisë Kosovë-Unicredit Bank AG për financimin e projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar për Shëndetësi, Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, është përballur me kritika të shumta nga anëtarët e këtij komisioni.
Një pjesë e madhe e anëtarëve të këtij komisioni, kanë shfaqur dyshimet për vlerën e kredisë e cila është për 500 mijë euro më e lartë se sa vlera e tenderit, transmeton kosovapress.
Në anën tjetër ministri Rrahmani e ka arsyetuar marrëveshjen duke thënë se nuk ka pasur nevojë për ndryshime, pasi që sipas tij, janë përfillur procedurat dhe çmimi prej 2.6 milionë euro i është nënshtruar vlerësimit juridik. Ndërsa, sipas tij, shtesa prej 500 mijë eurove është e paraparë për trajnim të stafit dhe mirëmbajtje të aparaturave.
“Qeveria e Kosovës ka ri proceduar në Kuvendin e Kosovës përsëri mundësinë e ratifikimit të kësaj marrëveshje dhe procedimit tutje… Kjo marrëveshje ka ardhur pa asnjë ndryshim nga hera e parë dhe ftoj që të gjej mirëkuptim dhe kjo të marrë votat e duhura në Parlamentin e Kosovës në mënyrë që ne të procedojmë tutje në blerjen e aparaturës dhe krijimin e kushteve më të mira për ofrimin e shërbimeve në QKUK”, tha Rrahmani.
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Flora Brovina, ka thënë se marrëveshja si e tillë më herët nuk i ka marrë votat e deputetëve për shkak se siç ka thënë ajo, ka munguar një arsyetim i detajizuar për votimin e kësaj marrëveshje.
“Po shihet se pse nuk është votuar kjo në Kuvend. Pra kanë munguar shpjegimet e juaja në detaje dhe bindja e deputetëve se kjo kredi nuk ka pasur një problematikë brenda saj. Kjo po kërkohet edhe në këtë takim që të bindemi pse ta votojmë”, tha Brovina.
Rrahmani edhe një herë e ka arsyetuar marrëveshjen, duke këmbëngulur se nuk ka nevojë për ndryshime.
“Është analizuar dhe nuk ka pasur nevojë të behën ndryshime , sepse janë respektuar gjitha procedurat të cilat i parasheh marrëveshja mes Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Ministrisë të Financave të Austrisë kur është lidhur në vitin 2012 për 30 milionë euro kredi. Çmimi që ka ardhur prej 2.6 milionë euro është çmim që parasheh pjesën shtesë e cila është dashur ti nënshtrohet dhe i është nënshtruar vlerësimit juridik. Pjesa shtesë është rreth 500 mijë euro… Kjo pjesë shtesë ka paraparë trajnimin e stafit dy javë në klinikat e Austrisë. Ka paraparë mirëmbajtjen shtesë edhe për një vit në raport me kontratën që është paraparë në 2.1 milion euro”, tha Rrahmani.
Deputeti Bekim Haxhiu, anëtar i Komisionit për Shëndetësi ka kundërshtuar politikat e kësaj ministrie, duke vënë theksin tek rritja e vlerës së tenderit për 500 mijë euro. Sipas Haxhiut ministri Rrahmani vë në rend të parë interesin individual e jo atë të pacientëve.
“Ministri prapë nuk e arsyetoj rritjen e kredisë prej 500 mijë euro… Po aprovoni një shkelje ligjore me votën tonë dhe nuk do të lejojmë të akuzohen 500 mijë euro pa tender të fryra në këtë formë derisa nuk ka një arsyeshmëri formën se pse është rrit kredia për 500 mijë euro. Në parim e mbështesim çdo investim… Sa u përket politikave të ministrave nuk pajtona as me të ministrit Rrahmani sepse janë politika programore jo të mira jo në interesin e pacientit, por interesa individuale dhe grupore… Kërkoj të arsyetoni këtë çështje edhe nëse është për 32 javë ditë trajnim mi jep 500 mijë euro, të paktën kaloni një procedurë tenderuese”, tha Haxhiu.
I vetmi që e përkrahu këtë marrëeshje është Hatim Basxhaku, që njëherësh është bashkë partiak i ministrit Rrahmani. Ai ka thënë se shëndetësia në përgjithësi ka problem me aparatura dhe se vendi ka nevojë për investime . Ai ka kërkuar që të votohet kjo marrëveshje.
Ndërsa Shaip Muja, deputet i pavarur, ka kundërshtuar rritjen e vlerës së kredisë prej 500 mijë eurosh duke thënë se çdo kompani që i shet aparaturat, trajnimet i ofron pa pagesë.
“Jam i shqetësuar se kjo Qeveri duke mos ditur t’i menaxhojë punët e veta dhe obligimet mundohet të krijojë opinion publik se përgjegjës për problemet është Parlamenti jo vetëm për këtë çështje për të cilën jemi mbledhur, por edhe shumë çështje të tjera. Ju kisha lut, leksione morale për efekte politike mos mbani, sepse nga ne jeni votuar të bëheni ministër dhe neve na kërkoni llogari në vend që ne juve t’ju kërkojmë llogari. Çdo arsyeshmëri që ju e jepni çdo kompani që ta shet aparaturën e jep edhe trajnimin pa para’”, tha Muja.
Rrahmani, i ka ftuar deputetët e Komisionit që bashkërisht të vizitojnë klinikën në mënyrë që ata vetë të shohin gjendjen atje.
“Desha të them nëse keni kohë, komplet shkojmë në kardiologji invazive edhe e shohim në çfarë është gjendja me aparaturë. Nëse ata thonë ai aparat është funksional edhe ai aparat a i përmbush kriteret e punës edhe nuk ngrohet tek çdo i treti ose i katërti edhe me tërheq pacientin nga salla atëherë ne e tërheqim marrëveshjen”, tha Rrahmani.
Menjëherë ka reaguar deputeti Shaip Muja duke thënë se nuk kanë nevojë për vizita pasi nuk janë ekzekutues.
Unë nuk kam nevojë si deputet se unë nuk jam ekzekutiv të shkojë të bëjë skena në QKUK teatrale për paaftësitë menaxheriale. Nuk ke nevojë të thuash në opinion sikur ne jemi kundër aparatura. Jemi për me i ble aparaturat por nuk jam me i ble një aparaturë me një çmim që mundem tre të njëjta me i blerë. Prandaj kjo a quhet kredi a hajni nuk po e di”, tha Muja.
Ministri po ashtu i ka njoftuar deputetët që kanë gjetur një zgjedhje të përkohshme për specialistet e papunë. Qeveria i ka ndarë 300 mijë euro për këtë vit, për punësim të përkohshëm për specialistët me mundësi punësimi nga janari i vitit 2017.