Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, kërkon dorëheqjen e të gjithë menaxherëve të klinikave, të cilët janë të akuzuar në “rastin Stenta”, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ministri për herë të parë, në Rubikon të KTV-së kërkoi publikisht nga menaxherët e klinikave që për hir të përgjegjësisë që kanë pasur, ta bëjnë një gjë të tillë.
Ministri beson se procesi është deformuar nga politika apo individë të caktuar për përfitime të momentit.
Të gjithë qytetarët e Kosovës janë të obliguar që të kenë sigurimin shëndetësor publik, pa marrë parasysh nëse ata veçse e kanë një të tillë në sektorin privat.
Sipas ministrit Rrahmani, një gjë e tillë obligohet me ligj.
Ndër të tjera, akuzave të kryetares së Odës së Mjekëve, Zylfie Hundozi se është kërcënuar kur ka kërkuar shpjegim për mosbartje të kompetencave në tërësi, ai u është përgjigjur duke thënë se për një gjë të tillë, vetë Hundozi nuk ka punuar dhe është marrë me probleme politike.
Ministri Rrahmani ka kërkuar nga të gjithë qytetarët që ta ndihmojnë këtë institucion të identifikohet e keqja.