Telegrafi

Ministri i ri i Shëndetësisë: Do të ndalojmë largimin e trurit mjekësor nga Kosova

Ministri i ri i Shëndetësisë, Rifat Latifi tha se do të angazhohet në ngritjen afatgjate të shëndetësisë në Kosovë.

Ai falënderoi kryeministrin Albin Kurti për besimin e dhënë.

“Kryeministër faleminderit për nderin e madh që më keni bërë dhe besimin që keni treguar ndaj meje për këtë detyrë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Ekipi im dhe unë do të angazhohemi që të ngrisim standardet mjekësore duke ngritur edukimin dhe trajnimin e të gjithë specializimeve…”, tha Latifi.

Ai shtoi se me ngritjen e kapaciteteve njerëzore investojnë në ngritje të kualitetit të shërbimeve dhe e shtojnë volumin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

Ministri i ri i Shëndetësisë premtoi se do të parandaloi largimin e mjekëve nga Kosova.

Lexo po ashtu Kurti emëron Rifat Latifin, ministër të Shëndetësisë

“Ky proces do të ketë rëndësi të mëdha për Kosovën. Do ta ndërpresim largimin e trurit mjekësor dhe shkencorë të Kosovës në vende tjera. Nëse ne e rregullojmë shtëpinë tonë do të bëjmë të mundur kthimin e trurit të larguar deri më tash”, tha Latifi.

Ai shtoi se të gjithë ata që duan të kthehen mund të kthehen dhe të bëhen pjesë e jetës në Kosovë. /Telegrafi/