Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa flet për RTV Dukagjinin për herë të parë pas marrjes së postit.
Ekrem Mustafa ka tri ditë që është emëruar Ministër i Punëve të Brendshme.
Vendimin për emërimin e Mustafës në këtë pozitë e ka marrë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me kërkesën e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli.
Mustafa i cili me profesion është mjek, thotë se është i përgatitur për këtë pozitë te re dhe për punët që e presin.
“Kam llogaritur në disa efekte ku ka ngecje, pak a shumë në emergjenca dhe në disiplinë pak më të ashpër në nivel të përgjithshëm të këtij dikasteri”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ekrem Mustafa.
Ministri i ri i Punëve të Brendshme, pret që si vendim të tij të parë të këtë anëtarësim e Kosovës në Interpol.
“Do të merrem me procese të cilat janë aktuale për momentin, duke llogaritur që Kosova pret anëtarësimin në Interpol dhe pret liberalizimin e vizave. Do të angazhohemi për t’i bind shtetet që Kosova i ka përmbush të gjitha kushtet”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Punën e ish dy bashkëpartiakëve të tij e vlerësoi si punë të mirë, por që duhet të vazhdohet, me një intensitet edhe më të madh.
Kujtojmë, Ekrem Mustafa është ministri i tretë nga Alenaca Kosova e Re në krye të këtij dikasteri që nga formimi I qeverisë së re.
Flamur Sefaj ishte shkarkuar nga detyra pas dëbimit në Turqi të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Ndërsa Bejtush Gashit, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ia ka kërkuar të lirojë detyrën./Telegrafi/