Telegrafi

Ministri Rakiq i kthehet punës – shfrytëzoi resurset e shtetit edhe në kohën e bojkotit

Udhëheqësi i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq bashkë me stafin e tij, nga e hëna ka ndërprerë bojkotin e nisur para një jave.

Mirëpo, edhe pse kishte ndërprerë punën, Rakiq nuk kishte ndalur përdorimin e benefiteve që shteti i Kosovës ia siguron për shkak të pozitës që mban.

E një veprim të tillë, shoqëria civile e konsideron keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Zëvendësministri për Kthim dhe Komunitete, Mevlud Sinani, ka thënë se mungesa e Rakiqit ka qenë për një periudhë të shkurtër.

“Kjo ka qenë një periudhë shumë e shkurtër, ka qenë një periudhë pesë ditore, natyrisht që nuk ka pasur ndonjë problem të madh. Meqë prej dje ka filluar punën ta shohim nëse vazhdon besoj që nuk do të ketë ndonjë ngecje të madhe”, tha ai.

Pavarësisht që nuk ka punuar, Rakiq ka vazhduar shfrytëzimin e resurseve të shtetit të Kosovës, raporton RTV Dukagjini.

Lexo po ashtu Rikthehen në punë gjyqtarët serbë në Themeloren e Mitrovicës

Gjatë kohës sa s’ka qenë ministri, nuk ka qenë as vetura e tij zyrtare.

“Jo, jo s’ka qenë vetura e tij zyrtare”, bëri të ditur Sinani.

Veprimi, të cilin Rakiq nuk e ka bërë për herë të parë, sipas anëtarëve të shoqërisë civile përbën keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Mexhide Demolli – Nimani nga Lëvizja “FOL” kërkon që të përfshihen sanksione në Projektligjin për Qeverinë, i cili është duke u shqyrtuar.

“Na mungon një bazë ligjore e mirëfilltë, shpresojmë që në Ligjin për Qeveri një gjë e tillë të vendoset, të krijohet një standard aty që njerëzit që nuk dalin të punë t’u ndalen edhe benefitet. Pak a shumë njësoj siç po tentohet të rregullohet kjo gjë edhe me rregulloren e Kuvendit për deputetët që për derisa mungon t’u largohet mëditja. Njëjtë besoj që do të duhej të rregullohej një gjë e tillë edhe për zyrtarët e Qeverisë”.

Ndryshe, të premten e 25 marsit, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq përmendi se pezullimi i punës prek të gjithë serbët që punojnë në institucionet e Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Mirëpo, i pyetur nga RTV Dukagjini, Rakiq nuk ka treguar nëse njëkohësisht me të janë kthyer në punë edhe kryetarët e komunave.

Për këtë çështje nuk ka kthyer përgjigje as Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Si pasojë e bojkotit, disa seanca të asambleve në komunat veriore kanë dështuar të mbahen gjatë javës së kaluar.

Bojkotimin e punës, serbët e nisën të hënën e kaluar, pas suspendimit të gjyqtares Liljana Stevanoviq për shkak të pjesëmarrjes së saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Serbi.