Ministri i Bujqësisë, Faton Peci në konferencën e fundit për media për këtë vit, ka prezantuar të arriturat dhe sfidat e kësaj ministrie gjatë vitit 2022.
Peci ka thënë se për herë të parë brenda vitit kalendarik fiskal janë ekzekutuar të gjitha pagesat për subvencione.
“Puna e Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2022 ka bërë që ta shndërron fermerin e Kosovës si fermerin më të përkrahur në rajon. Në kategorinë e subvencioneve kemi përkrahur 28 mijë e 222 fermerë bujqësor, të cilët përfituan 61.8 milionë euro dhe për herë të parë brenda vitit kalendarik fiskal janë ekzekutuar të gjitha pagesat për subvencione. Në kategorinë e granteve gjatë vitit 2022 janë ndarë 26 milionë euro, nga këto mjete janë përfitues 472 fermerë, janë kontraktuar 282 projekte në grante duke përfshirë këtu edhe depot e grumbullimit dhe të përpunimit të pemëve”, tha Peci.
Ai theksoi se kanë arritur që ta kthejnë meritokracinë dhe transparencën në këtë dikaster. Dhe kështu, sipas tij, për keqpërdoruesit presin të trajtohen 400 lëndë nga Prokuroria e Shtetit.
“Denoncimi dhe demaskimi I keqpërdoruesve të pronave ka marrë drejtimin e duhur, për pronat e Ministrisë së Bujqësisë, por edhe të Institutit të Bujqësisë. Janë dërguar në prokurori 400 lëndë, të cilat meritojnë që të hetohen për ecurinë se si janë vlerësuar në të kaluarën procesi i granteve. Ministria e bujqësisë ka ndarë mbi 2.8 milionë euro për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në bujqësi për 1 mijë e 17 fermerë nga 22 komuna të Kosovës”, theksoi ai.
Ministri Peci theksoi se për këtë vit ka realizuar mbi 150 vizita tek fermerët në gjithë territorin e Kosovës. /KP/Telegrafi/