Telegrafi

Ministri në detyrë i Financave: Nga 15 marsi, Kosova ka më pak të hyra prej 2.5 milionë eurove në ditë

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova ka marrë mbështetje nga institucionet financiare ndërkombëtare më shumë se çdo vend tjetër në rajon.

Bislimi, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se nga 15 marsi buxheti i Kosovës ka rënie në të hyra 2 deri 2.5 milionë euro në ditë.

“Nëse zgjatë kriza për tre muaj do të kemi humbje prej 250 milion eurove të hyra”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se kriza i kushton Kosovës shumë duke pasur parasysh edhe ato që nuk mund t’i marrim.

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve thotë se Kosova është ndihmuar nga institucionet ndërkombëtare më shumë se çdo vend fqinj.

“Bashkimi Evropian do të na jep kredi me kushte sikurse vendeve të BE-së. Në këtë kohë duhet të jesh shumë i lumtur të marrësh kredi…Gjermania na ka dhënë 13 milion euro grante”.

Bislimi thotë se duke mbledhur të gjitha fondet Kosova do të ndihmohet në mbi 300 milion euro./Telegrafi/