Site icon Telegrafi

Ministri Mustafa viziton Ferizajn, dy herë subvencione për fermerët

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa gjatë një vizitë pune në Komunën e Ferizajt, ku u takua me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu bisedoi për sektorin e bujqësisë.

Sipas një njoftimi për media, ministri i MBPZhR-së tha se përmirësimi i kushteve për fermerët e Ferizajt dhe atyre të tërë Kosovës mbetet fokus i tij.

Siç thuhet në njoftim gjatë vizitës takoi fermerë të zonës, blegtorë, gjedhtarë, përpunues të qumështit dhe të frutave të imëta nga të cilët së afërmi u informua mbi situatën e tyre.

Ai njoftoi fermerët se, Ministria e Bujqësisë ka vendosur t’i paguajë dy herë subvencionet, që fermerët sa më lehtë ta përballojnë situatën e shkaktuar nga COVID-19.

Pos kësaj, ministri Mustafa tha që ai dhe ekipi i tij pandërprerë kanë punuar që shpërndarja e subvencioneve të bëhet si duhet. Në këtë aspekt, tha se, sistemi i evaluimit për grante dhe subvencione është përditësuar deri aty sa gjasat për të manipuluar janë të barabarta me zero.

“Kemi punuar ditë e natë që të arrijmë deri në këtë sistem i cili ka krijuar një fushë me kushte të barabarta për secilin fermer”, përfundoi ministri Mustafa.

Tutje në njoftim thuhet se fermerët mes tjerash falënderuan ministrin Mustafa për përkrahjen e vazhdueshme, sidomos për pagesën e subvencioneve e cila sivjet po bëhet dy herë. /Telegrafi/

Exit mobile version