Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka pritur në takim ushtruesin e detyrës së shefit të misionit të EULEX-it në Kosovë, Bernd Thran.
Sipas njoftimit për media, në këtë takim u bisedua në lidhje me bashkëpunimin e deritanishëm në mes MPB-së dhe EULEX-it si dhe vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të të dy institucioneve.
Gjithashtu, u bisedua për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës ku u kërkua të intensifikohet edhe më tej puna e organeve të sigurisë në përforcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
Në njoftim thuhet se, të dy bashkëbiseduesit folën lidhur me projektet e përbashkëta, më ç’rast Thran shprehi gatishmërinë e EULEX për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me institucionet e Republikës së Kosovës.
Në vazhdën e avancimit të pajisjeve që shfrytëzohen nga MPB dhe agjencitë e saj, në ditët në vazhdim pritet që Ministria e Punëve të Brendshme të pranojë një donacion nga EULEX-i. /Telegrafi/