Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët opozitarë në seancën e sotme të Kuvendit. Duke debatuar për rishikimin e buxhetit për vitin 2021, shefi i financave të shtetit tha se kritikat e opozitës nuk janë përmbajtjesore, pasi gjitha masat, siç e quajti ringjalljen ekonomike janë pjesë e programit qeverisës. Mirëpo këtë pako ekonomike opozita e quajti të mangët.
Ministri Murati në foltoren e Kuvendit tha se në programin e ringjalljes ekonomike mbështeten prodhuesit dhe ekonomia në përgjithësi.
“Gjitha masat janë pjesë në programin qeverisë që janë reflektuar në pakon e ringjalljes së ekonomike. Po ashtu kemi mbështetjen për prodhuesit dhe ekonominë për përgjithësi. Komplet këto masa kapin vlerën e 108 milionë euro”, tha ai.
Mirëpo, të njëjtin, Bedri Hamza nga PDK e quajti të pamjaftueshme për ekonominë e vendit.
“Nëse dikush më thotë se veç 108 milionë janë mjaftueshëm unë nuk pajtohem me këtë. Nuk është me rëndësi a të pëlqen apo jo ligji për rimëkëmbjen ekonomike. Pasi është në fuqi dhe jeni të detyruar për të zbatuar sepse është miratuar në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Hamza.
Ndërsa, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se ministri Murati është i paqartë se në cilat linja buxhetore do të marrë të hollat për ringjalljen ekonomike.
“Nuk e di çka konsideroni program të rimëkëmbjes ekonomike, një gjë është që e keni deklaruar 400 e sa milionë. Ju identifikoni qartë se cilat linja buxhetore janë pjesë e programit ekonomike”, tha ai.
Derisa, Besnik Tahiri nga AAK tha se ekzekutivi nuk ka bërë arsyeshmërinë e rishikimit të buxhetit.
“Si shef i grupit parlamentar nuk jam me bllokuar këtë rishikim, por arsyeshmëria nuk është e saktë dhe kuptueshme”, theksoi Tahiri./Telegrafi/