Site icon Telegrafi

Ministri Murati: Pajisjet e kriptovalutave të konfiskuara sot, shpenzojnë rrymë sa 500 shtëpi

Janë konfiskuar sot 272 pajisje në veri të Mitrovicës që shërbejnë për prodhimin e kriptovalutave.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës, e cila aksionin e ka realizuar së bashku me Doganën e Kosovës.

Ka reaguar edhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka pohuar se 272 pajisjet e konfiskuara në Leposaviq, shpenzojnë energji elektrike sa mesatarisht 500 shtëpi.

Murati ka shkruar në Facebook se kjo nënkupton që pajisjet shpenzojnë energji elektrike në vlerë prej 60 mijë deri në 120 mijë euro në muaj.

Lexo po ashtu Policia publikon pamjet e konfiskimit të 272 pajisjeve për prodhimin e Bitcoin në veri

“272 pajisje Antminer janë konfiskuar sot në mëngjes në një operacion të Doganës dhe Policisë, në pjesën veriore të vendit. Këto pajisje, nëse lihen të punojnë pandërprerë, shpenzojnë përafërsisht 300,000 kWh energji elektrike, apo sa shpenzimi mesatar i 500 shtëpive. Me çmimet aktuale të importit, i bie 60,000-120,000 euro/muaj. Për këtë po flasim kur po themi se nuk mund të lejojmë pasurimin e paligjshëm të disave, në kurriz të taksapaguesve”, ka shkruar Murati.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndalojë prodhimin e kriptovalutave në mbarë vendin pas krizës energjetike. /Telegrafi/

Exit mobile version