Telegrafi

Ministri i Mjedisit: Mbi 1,000 qytetarë janë dënuar për hedhje të mbeturinave, problem mbeten deponitë ilegale (Video)

Ministri Fatmir Matoshi me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se në Kosovë ka ardhur koha që të merremi me problemin a trajtimit të mbeturinave, duke shtuar se ato mund të shndërrohen në profit për vendin.

Matoshi, në emisionin ”Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se në Kosovë janë pastruar shumë deponi dhe sot ka një vëmendja më të madhe ndaj çështjeve të ambientit.

Ai ka thënë se nga inspektimet bashkë me ndërkombëtarët kanë parë zona të degraduara nga deponitë ilegale që sipas tij duhet të mbyllen.

“Ka pasur një mobilizim të madh qytetarë duke pastruar mbi 900 deponi në gjithë Kosovën…”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se janë shpërblyer shumë komuna që kanë treguar efikasitet në pastrimin e ambientit gjatë fushatës së përgjithshme që është mbajtur në tërë Kosovën.

Matoshi ka thënë se tashmë për hedhje të cigareve apo ndonjë shisheje janë dënuar mbi 1,000 qytetarë me gjoba nga 20 euro e më lartë.

Sa u përket deponive të mbeturinave, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se me disa projekte, Kosova do të përfitojë materialisht nga trajtimi i mbeturinave.

Lexo po ashtu Fushë Kosova përshëndet anulimin e projektit 12 milionësh të BE-së për deponinë e mbeturinave, fajëson Ministrinë e Mjedisit për jotransparencë

“Mbeturinat nga problem shumë i madh që janë sot, do të shndërrohen në profit dhe të bëhen të vlefshme. Kjo ka ndodhur çdo kund në botë. Shtetet e ndryshme blejnë mbeturina. Kamionë të tërë të plastikës eksportohen, mbetjet e metalit eksportohen, kanaçet po ashtu eksportohen…Por ende për Kosovën nuk janë bërë profit”.

Matoshi thotë se 20 vjet pas përfundimit të luftës dhe pas zgjidhjes së shumë problemeve tjera ka ardhur koha që të trajtohen mbeturinat pasi sipas tij tashmë ato janë problem i Kosovës./Telegrafi/