Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka thënë se institucionet shtetërore tashmë kanë filluar të vendosin gjoba për personat apo subjektet që bëjnë ndotjen e ambientit.
“Qëllimi është të vetëdijesohen njerëzit që të kenë kujdes me vendet ku i hedhin mbeturinat. Jam i bindur që udhëzimi do të ketë zbatim”.
Ai në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se vëmendja më e madhe do të jetë në rrugë, lumenj, liqene dhe në vendet ku më së shumti dëmtohet imazhi.
“Janë dhënë gjoba, por nuk kam statistika. Mjetet e grumbulluara nga këto gjoba do të shkojnë në komunat ku është vënë gjoba. Komunat do të krijojnë një fond që pastaj ta përdorin në projekte mjedisore. Unë shpresoj që ky fond të jetë më i vogël dhe të mos gjobiten shumë qytetarë”.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se ka një dakordim mes institucioneve për themelimin e Policisë së Gjelbër.
“Jemi pajuar që politikisht të mbështesim këtë iniciativë. Jemi dakorduar për fillimin e formimit të grupeve punuese për të caktuar kompenetncat e Policisë së Gjelbër, numri i policëve etj.
Matoshi ka thënë se deri më tani qytetarëve të Kosovës u është fshehur problemi i ndotjes së ajrit në Prishtinë.
“Kjo që ka ndodhë në vitet paraprake u është mbajtur e fshehtë qytetarëve. Ne nuk e kemi ndërmend të mbajmë të fshehur këtë problem. Ne u themi qytetarëve se edhe ne vitin e kaluar por edhe këtë vit do të kemi problem me ajrin e ndotur, pavarësisht se hapat e ndërmarrë do të ndikojnë në përmirësimin e situatës së rëndë por jo edhe tejkalimin e saj”, deklaroi më tej ministri Fatmir Matoshi./Telegrafi/