Site icon Telegrafi

Ministri Mehaj vizitoi familjet e dëshmorëve në komunat e veriut të Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në vazhdën e vizitave në familjet e dëshmorëve të kombit, vizitoi familjet e dëshmorëve në vendbanimet e pjesës veriore të vendit.

Me këtë rast, ai vizitoi familjen e dëshmores, Fatime Hetemi, në veri të Mitrovicës, familjen e dëshmorit Bislim Ademi, në Cerajë të Leposaviqit, familjen e dëshmorit Kadri Kadriu në lagjen Kroi i Vitakut në Veri të Mitrovicës, dhe familjen e dëshmorëve Kadrije Uka dhe Fahredin Uka, në Çabër të Zubin Potokut.

“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK janë institucionet e vendit që janë të përkushtuara maksimalisht të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, sepse e kemi obligim kushtetues dhe ligjor, që ishte edhe ideali i gjithë dëshmorëve e martirëve të Kombit”, është shprehur ministri.

Në njoftim thuhet se vlerësimi i lartë i sakrificës së luftëtarëve të UÇK-së dhe flijimit të tyre nga kjo anë e vendit tonë, bashkë me evokimin e kujtimit dhe nderimit për ta, ishin qëllimi i kësaj vizite. /Telegrafi/

Exit mobile version