Telegrafi

Ministri Mehaj kërkon pranimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka udhëtuar për në Split të Kroacisë për të marrë pjesë në takimin dyditor të ministrave të mbrojtjes në takimin  vjetor të Kartës së Adriatikut-SHBA (A5) që këtë vit është nën Presidencën e Kroacisë.

Mehaj ka bërë të ditur në një postim në Facebook se pjesëmarrja në këtë takim është mundësi e shkëlqyeshme për të prezantuar fuqishëm nevojën për pranimin e Kosovës me statusin e barabartë në këtë organizatë.

Lexoni të plotë postimin:

Karta e Adriatikut -SHBA, adresa jonë e radhës në rrugën tonë drejtë anëtarësimit të Kosovës në NATO.

Sot me ftesë të homologut e mikut tim kroat Mario Banozic, kam udhëtuar për në Split të Kroacisë, për të marrë pjesë në takimin dyditor të ministrave të mbrojtjes në Takimin  vjetor të Kartës së Adriatikut-SHBA (A5) që këtë vit është nën Presidencën e Kroacisë.

Pjesëmarrja ime në këtë takim është mundësi e shkëlqyeshme për të prezantuar fuqishëm nevojën për pranimin e Kosovës me statusin e barabartë në këtë organizatë.

Kërkesa ime bazohet në faktin e natyrshëm duke pasur parasysh se siguria dhe mbrojtja në mjedisin aktual të sigurisë rajonale nuk mund të arrihet e fragmentarizuar, por me qasje proaktive të të gjitha vendeve mbi konceptin e përgjithshëm të bashkëpunimit të ngushtë rajonal.

Ne e kemi dëshmuar dhe jemi duke e dëshmuar edhe konkretisht se jemi të gatshëm dhe të përgatitur për të dhënë kontributin efektiv në kuadër të kësaj organizate dhe bashkimit të afërm me partnerët tjerë në NATO. /Telegrafi/