Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj k zhvilluar një bisedë përmes një video-lidhje me ish- Sekretaren amerikane të SHBA-së, Madeleine Albright.
Mehaj thotë se për të ishte nder të zhvillojë bisedë me Albright.
“Sot kisha nderin e madh dhe privilegjin e veçantë, të takohem me sekretaren historike amerikane të shtetit, Madeleine Albright me të cilin biseduam si dy miq, përmes video-lidhjes, për rreth një orë. Me këtë rast, sekretaren Albright e falënderova dhe i shpreha edhe njëherë mirënjohjen dhe falënderimin e përjetshëm për lidershipin, vendosmërinë dhe vendimmarrjen e saj në momentet tona më të vështira.
I thashë se ju jeni Heroina e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve liridashës të Ballkanit dhe e tillë do të jeni gjithmonë. Me kënaqësi e njoftova me të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe procesin e tranzicionit të FSK-s. Gjithashtu e njoftova me prioritete e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përgjithësi si dhe me vizionin, qëllimet strategjike dhe objektivat e mi operacional për të ardhmen në veçanti”, ka shkruar Mehaj.
Ministri Mehaj bën të ditur se ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të veçantë për SHBA-në.
“Në vazhdim i shpreha mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për SHBA-në, popullin amerikan, Departamentin e Mbrojtjes dhe Ushtrinë Amerikane për kontributin e pazëvendësueshëm dhe jetik për gjithë procesin e ndërtimit, zhvillimit dhe avancimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-në. Zbarkimi në Kuvajt, planet për zbarkimin në Poloni si dhe validimi nga ushtria amerikane e kapaciteteve të para të forcave mbrojtëse ushtarake ishin aspekte me interes gjatë takimit.
Nga ana e saj, sekretarja Albright shprehu impresionet e saj më të larta për të gjitha të arriturat e deritashme duke më siguruar se do të ofrojë të gjitha kapacitetet nga autoritetit i saj në funksion të realizimit të vizionit, qëllimeve dhe objektivave të mi.
Ajo më tha që keni përgjegjësi të lartë dhe më ftoi në takim në kohën e vizitës sime zyrtare të planifikuar në SHBA. Në fund, sekretaren Albright e ftova për vizitë në Ministrin e Mbrojtjes dhe FSK që mbeti ta vlerësojmë në takimet dhe kontaktet tona, që do të jenë të rregullta në të ardhmen”, thotë ai. /Telegrafi/