Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka paralajmëruar se mënyra e organizimit në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar (SHKUK), do të ndryshojë.
Latifi ka thënë se është e pamundur të menaxhohet ai ‘gjigand shëndetësor” vetëm nga drejtori i këtij institucioni.
Këto deklarata ai i ka bërë të mërkurën, gjatë raportimit para deputetëve anëtarë të Komisionit për Shëndetësi.
“Nuk ka udhëheqësi fare, drejtohet nga drejtori i SHSKUK-së që ajo ose ai me qenë “supermen”, me qenë menaxheri më i mirë në botë, është e pamundur fizikisht që të zhvillojë dhe menaxhoj gjithë atë gjigand shëndetësor. Shërbimet më të komplikuara mbahen aty, ndërsa aty janë pa udhëheqësi”.
“Këtë seriozisht po kam shumë vështirësi ta kuptoj pse kjo ka ngjarë, e pse ngjan. Kjo është prej vitit 2014. Kjo nuk i ka shërbyer askujt, e më së paku neve qytetarëve të Kosovës. Kjo do të ndërrohet shumë shpejt, se është statuti që mund të ndërrohet para Ligjit për Shëndetësi”, ka deklaruar Latifi.
Në vizitën që pati për herë të parë në Onkologji, ministri tha se ka vërtetuar se planifikimi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), nuk është i mirë. Sipas tij, në Kosovë blihen instrumente të shtrenjta, por nuk ka kuadër teknik.
Për më tepër, Latifi ka theksuar se askush nuk e di sa është borxhi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.
“Unë e kam përshtypjen se askush nuk po e di sa kemi borxh. Herë më thuhet se i kemi borxh 25 milionë, herë 28, herë 13. Ndërsa, numrat tonë të Ministrisë së Shëndetësisë janë mes 10 dhe 12. Unë i kam parë këto dokumente edhe ato janë në proces të referimit te Ministria e Financave që ne duhet t’i paguajmë”.
Gjatë raportimit, ministri Latifi ka theksuar se janë formuar grupet punuese për ndryshimet e 18 udhëzimeve administrative dhe gjashtë ligjeve, ndërkaq është zotuar se janë duke punuar në mirëqenien punëtorëve shëndetësorë dhe përmirësimin e infrastrukturës. /Telegrafi/