Elbert Krasniqi, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, njoftoi të premten se ka vizituar Zyrën për Komunitete në Zubin Potok, për të parë mundësinë e mbështetjes së qytetarëve në projekte të ndryshme infrastrukturore dhe socio-ekonomike.
Gjithashtu, Krasniqi bëri të ditur se ka vizituar edhe pikat doganore Bube 32 dhe Bërnjak 16, për të parë nga afër qarkullimin e qytetarëve atje.
Mbështetja e Komunave të Kosovës është prioritet për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në veçanti për grupet më të ndishme të shoqërisë për të cilat kemi ndarë fondet adekuate, tha ministri.
“Në Zubin Potok vizituam Zyrën për Komunitete i shoqëruar nga zëvendëskryesuesi i kuvendit komunal z. Vedat Mehmeti bashkëbiseduam me zyrtarët e zyrës komunale për komunitete për mundësinë e mbështetjes së qytetarëve në projekte të ndryshme infrastrukturore dhe socio-ekonomike, poashtu takuam familjet e kësaj zone dhe bujkun Ahmet Uka”, shkroi ai në Facebook.
“Gjithashtu i shoqëruar nga Milot Gashi pjesëtar i kabinetit të MPB-së, vizitova pikat doganore Bube 32 dhe Bërnjak 16, për të parë nga afër qarkullimin e lirë të qytetarëve tanë atje me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe qarkullimit më të lehtë”. /Telegrafi/