Ministri i Pushtetit dhe Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi ka reaguar pasi kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se kryeministri Albin Kurti ka pasur frikë dhe ka dërguar kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit për të marrë mandatin në dy fshatra.
Ministri Krasniqi ka thënë se ka besuar që në procesin e zgjedhjeve në veri do të jenë të gjithë së bashku, dhe se kryetarët e PDK-së ishin ata që kanë kërkuar të betohen në Boletin dhe Qabër, transmeton Telegrafi.
“Kam besuar që në këtë proces jemi gjithë bashkë, se është interes nacional. PDK ka kundërshtuar duke thënë se ne nuk po koordinohemi me kryetarët e tyre. Ne kemi thënë se kur bëhesh kryetar bien poshtë uniformat partiake. Kryetarët e PDK-së, kanë kërkuar vet vendin ku të bëjnë betimin në Qabër dhe Boletin. Për trimërinë e Memlit e kemi mësuar me ‘ritmin e rrugës’ tjetër nuk kam çka me thënë më shumë”, u shpreh ai.
Ndërkaq, kryetari I PDK-së, Memli Krasniqi, në fjalimin e tij në Kuvend tha se Kurti ka dërguar në Boletin dhe Qapër, kandidatët e PDK-së për të marrë mandatin, dhe që sipas tij, Qeveria ka pasur frikë.
Në Kuvendin e Kosovës, deputetët kanë diskutuar për situatën në veri, ku kanë hedhur akuza në drejtim të kryeministrit Kurti, duke thënë se po prish raportet me miqtë ndërkombëtar. /Telegrafi/