Disa ditë më parë ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e ka ftuar kryeministren serbe, Ana Bërnabiq për të diskutuar për modelin e garantimit të lirive dhe të drejtave të pakicave në Kosovë, dhe siç është shprehur ministri, në veçanti për pakicën serbe.
Sa i përket kësaj, në një intervistë për RTV Dukagjinin, Krasniqi ka treguar se ende nuk ka marrë ndonjë ftesë nga Bërnabiqi për diskutim si përgjigje ndaj ftesës së tij.
Por, Krasniqi theksoi se janë të hapur në çdo kohë të bisedojnë për modelin e Këshillit Kombëtar të Pakicave.
“Nuk kam pranuar ndonjë ftesë ende nga Bërnabiqi për këtë emalin që e kam dërguar të ajo, por jemi të hapur të bisedojmë për modelin e Këshillit Kombëtar të Pakicave”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi gjithashtu ka komentuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe duke thënë se ky Asociacion nuk i avancon të drejtat e komuniteteve në Kosovë, pasi ka karakter një etnik.
“Unë si përfaqësues politik i komunitetit egjiptas dhe si ministër i Qeverisë, unë besoj thellësisht se të drejtat e komuniteteve në Kosovë nuk mund të avancohen assesi pasi do të izolohen dhe do të kenë kanë karakter një etnik, gjithçka në Kosovë është ndërtuar në frymën e Kosovës shumë etnike”, ka deklaruar tutje Krasniqi.