Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i cili po qëndron për vizitë pune në Maqedoni, i shoqëruar nga ambasadorja turke në Shkup, Tülin Erkal Kara dhe nga deputeti në Parlamentin e Turqisë, Hüseyin Büge, u prit nga presidenti i vendit, Gjorge Ivanov, në vilën presidenciale “Villa Vodno”, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit me presidentin e Maqedonisë, ministri Çavuşoğlu do të pritet nga homologu i tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, në hapësirat e Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ministrat e të dy vendeve do të realizojnë takim kokë më kokë, si dhe do të zhvillohet një takim mes delegacioneve të të dy ministrive.
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë paraprakisht njoftoi se në takim do të shkëmbehen mendime për marrëdhëniet dypalëshe dhe do të diskutohen mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në shumë fusha, me theks të veçantë në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.
Nga MPJ e Maqedonisë theksojnë se ministrat do të bisedojnë për temat aktuale në rajon dhe më gjerë, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë në planin ndërkombëtar.
Në kuadër të vizitës së tij, poashtu është e paraparë që ministri Çavuşoğlu të pritet nga kryeministri Zoran Zaev.
Ndërkohë, më herët ministri turk u takua edhe me liderin e opozitës maqedonase, atë të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Gruevski.
Ndërsa në mbrëmje, ministrat Çavuşoğlu dhe Dimitrov do të marrin pjesë në sofrën e iftarit, të organizuar për nder të ministrit turk nga Agjencia Turke për Zhvillim dhe Koordinim (TIKA) nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Shkup, Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe Turqisë (MATTO) dhe Lidhja e Organizatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB).
Poashtu në këtë sofër të iftarit është paralajmëruar prania e presidentit Gjorge Ivanov dhe kryeministrit Zoran Zaev.