Ministri i Jashtëm suedez, u tha sot gazetarëve se Turqia ka bërë të ditur se pret që pranimi i Suedisë në NATO të ratifikohet brenda disa javësh.
Suedia dhe Finlanda kishin kërkuar anëtarësimin në NATO gjatë vitit të kaluar pas pushtimit rus në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
Por presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, anëtare e NATO-s, kishte kundërshtime ndaj asaj që ai tha se ishte mbrojtja e grupeve që Ankaraja i konsideron terroriste.
Turqia mbështeti ofertën e Finlandës në prill, por ende po e mban Suedinë në dhomën e pritjes.
“Kam pasur një takim dypalësh me kolegun tim, ministrin e jashtëm…ai më tha se pret që ratifikimi të ndodhë brenda disa javësh”, u tha ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom gazetarëve, përpara ditës së dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s.
Turqia nuk e konfirmoi ose komentoi menjëherë deklaratën. Ankaraja ka kërkuar që Suedia të ndërmarrë më shumë hapa kundër anëtarëve lokalë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), të cilën Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë grup terrorist.
Stokholmi prezantoi një projektligj kundër terrorizmit që dënon anëtarësimin në një organizatë terroriste, dhe hoqi kufizimet në eksportet e armëve në Turqi. Ata pretendojnë se kanë përmbushur pjesën e tyre të marrëveshjes së nënshkruar vitin e kaluar.
Një pjesë e bllokut të mbrojtjes perëndimore kishte shpresuar se procesi i ratifikimit për anëtarësimin e Suedisë në NATO do të kishte përfunduar tashmë, në mënyrë që ceremonia e pranimit të mund të zhvillohej në margjinat e takimit në Bruksel.
“Ministri i Jashtëm turk (Hakan Fidan) nuk dha një datë, por tha ‘brenda disa javësh’. Ai pret që ratifikimi të bëhet brenda disa javësh. Kështu më tha dje”, tha Billstrom sot. /Telegrafi/