Mali i Zi nuk ka asnjë problem në lidhje me çështjen e demarkacionit me Kosovën. Kështu ka deklaruar në Tiranë në vizitën e tij zyrtare, ministri i Jashtëm malazez, Sërgjan Darmanoviç gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun e tij shqiptar Ditmir Bushati.
“Mali i Zi ka marrëdhënie shumë të mira me Kosovën. Çështja e demarkacionit nuk përbën një problem për ne. Kjo çështje i takon forcave politike në Kosovë që ta zgjidhin. Është problem i brendshëm i tyre”, ka thënë ai.
Në pyetjen se çfarë hapash ka ndërmarrë Tirana zyrtare në lidhje me ndalimin e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nga policia franceze, ministri Bushati tha se janë në kontakte të vazhdueshme me autoritetet në Prishtinë dhe me ato franceze dhe të Bashkimit Europian.
Gjatë kësaj vizite të kryediplomatit malazez në Tiranë u fol edhe për krijimin e komunës së Tuzit dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. /rtk/