Site icon Telegrafi

Ministri i Jashtëm i Izraelit: Sot po bëjmë histori, me Kosovën kemi marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore

Kosova dhe Izraeli përmes një ceremonie virtuale, sot kanë nënshkruar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gabriel Ashkenazi tha se të dyja shtetet po bëjnë histori.

“Sot po bëjmë histori. Po vendosim marrëdhënie diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, një moment që është pritur nga shumëkush. Kjo është hera e parë që marrëdhëniet diplomatike po vendosen përmes Zoom-it. Sot ne kemi mundësi që të rrisim bashkëpunimin me popullin e Kosovës, me të cilin kemi marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore”, tha ai.

Lexo po ashtu Zyrtare, Kosova dhe Izraeli lidhin marrëdhënie diplomatike

Ministri izraelit tha se dëshiron që me Kosovën të bashkëpunojë në shumë fusha, përfshirë fushën e ekonomisë, të shëndetësisë e inovacionit.

Ai po ashtu theksoi rëndësinë e marrëveshjes së Washingtonit dhe shtoi se Izraeli do që Ballkani Perëndimor të jetë një rajon stabil.

Ashkenazi po ashtu bëri të ditur se mëngjesin e 1 shkurtit ka miratuar kërkesën e Haradinaj-Stubllës që Kosova të hapë ambasadën në Jerusalem. /Telegrafi/

Exit mobile version