Site icon Telegrafi

Ministri i Jashtëm italian bën thirrje për formimin e ushtrisë së BE-së

Bashkimi Evropian duhet të formojë ushtrinë e vet të kombinuar që mund të luajë një rol në ruajtjen e paqes dhe parandalimin e konflikteve, ka thënë ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani.

Në një intervistë për gazetën italiane La Stampa, Tajani tha se bashkëpunimi më i ngushtë evropian për mbrojtjen ishte prioritet për partinë Forza Italia që ai drejton, përcjell Telegrafi.

“Nëse duam të jemi paqeruajtës në botë, na duhet një ushtri evropiane. Dhe ky është një parakusht themelor për të pasur një politikë të jashtme efektive evropiane”, tha ai në një intervistë të botuar të dielën.

“Në një botë me lojtarë të fuqishëm si Shtetet e Bashkuara, Kina, India, Rusia – me kriza nga Lindja e Mesme deri në Indo-Paqësorin – qytetarët italianë, gjermanë, francezë apo sllovenë mund të mbrohen vetëm nga diçka që tashmë ekziston – gjegjësisht Bashkimi Evropian”, shtoi ai.

Bashkëpunimi evropian i mbrojtjes është ngritur në agjendën politike që nga fillimi i agresionit në Ukrainë nga Rusia pothuajse dy vjet më parë.

Megjithatë, përpjekjet kanë qenë më të përqendruara në zgjerimin e NATO-s, me vendin e BE-së, Finlandën që iu bashkua aleancës vitin e kaluar dhe Suedia gjithashtu në rrugën e duhur për t’u bërë anëtare.

Tajani tha gjithashtu se BE-ja 27-vendesh duhet të përmirësojë udhëheqjen e saj dhe të ketë një presidencë të vetme, në vend të strukturës aktuale të një presidenti të Këshillit Evropian dhe një presidenti të Komisionit Evropian.

Ministri i Jashtëm u bë udhëheqës i Forza Italia pas vdekjes së Silvio Berlusconit vitin e kaluar.

Zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor do të jenë matësi i parë i popullaritetit të partisë pas humbjes së ish-liderit të saj karizmatik. /Telegrafi/

Exit mobile version