Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant bëri thirrje sot për një hetim kombëtar rreth sulmit të Hamasit të 7 tetorit, duke thënë se ai dhe shefi i tij, kryeministri Benjamin Netanyahu, duhet të hetohen.
Ministri e komentoi këtë në ceremoninë e diplomimit të oficerëve të rinj ushtarakë, ku mori pjesë edhe kryeministri, qeveria e koalicionit të të cilit tashmë është tronditur nga konfliktet e brendshme.
Një hetim shtetëror, tha Gallant, “duhet të jetë objektiv, duhet të na shqetësojë të gjithë ne që marrim vendime, si dhe ata që i zbatojnë ato, pra qeveria, ushtria dhe agjencitë e sigurisë”.
“Duhet të më hetojnë mua si ministër i mbrojtjes. Duhet të hetohet edhe kryeministri”, tha Gallant ndërsa turma brohoriste, raporton timesofisrael.
Netanyahu hodhi poshtë thirrjet e mëparshme për një hetim kombëtar për sulmin e Hamasit të 7 tetorit që e zuri Izraelin në befasi dhe ndezi luftën në Gaza, duke thënë se një hetim për atë që ndodhi duhet të kryhet pas përfundimit të luftës.
Ndryshe, vetëm qeveria mund të vendosë për formimin e Komisionit Shtetëror Hetimor, i cili ka kompetenca të gjera dhe gjetjet e të cilit kanë peshë. Kryetari i Gjykatës së Lartë i zgjedh anëtarët e saj. /Telegrafi/