Ministri izraelit i ekstremit të djathtë Itamar Ben-Gvir i ka bërë thirrje Benjamin Netanyahut që të vazhdojë me planet për një sulm tokësor në qytetin e Rafahut.
“Nëse kryeministri vendos t’i japë fund luftës pa një ofensivë në shkallë të gjerë në Rafah për të mposhtur Hamasin, ai nuk do të ketë një mandat të vazhdojë të shërbejë si kryeministër”, ka thënë Ben-Gvir, përcjell Telegrafi.
Ben-Gvir është ministri i dytë izraelit i krahut të djathtë (pas Bezalel Smotrich) që shpreh zemërimin sot për lajmin se pothuajse e gjithë prania e IDF në Gaza ishte tërhequr gjatë fundjavës.
Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, tha se trupat ishin tërhequr për t’u përgatitur për misionet e ardhshme, duke përfshirë qytetin Rafah.
Zëdhënësi i qeverisë izraelite Avi Hyman tha më vonë për Sky News se Netanyahu “absolutisht” do të vazhdojë me një pushtim tokësor të qytetit.
“Nëse nuk shkojmë përpara me Rafah, ne e humbim luftën”, citohet të ketë thënë ai. /Telegrafi/