Site icon Telegrafi

Ministri Ismaili dhe deputeti Hoti përplasen për keqpërdorimet në blerjen e barnave

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti janë ‘përplasur’ sot në Komisionin për Financa lidhur me keqpërdorimin e gjashtë milionë eurove nga barnat e listës esenciale.

Në raportimin e ministrit Ismaili para Komisionit për Financa, deputeti Hoti  tha se nëse ministri Ismaili ka fakte për keqpërdorimin e miliona eurove le t’i drejtohet hetuesisë.

Pas kësaj, ka reaguar ministri Ismaili duke potencuar shpëtimin e 6 milionë eurove në blerjen e barnave më lirë sesa vitin e kaluar.

Ai tha se korrupsioni në blerjen e barnave viteve të kaluara e ka dëmtuar buxhetin e shtetit me miliona euro.

Ministri i kërkoi Hotit që të mos e arsyetojnë korrupsionin që ka ndodhur në blerjen e barnave dhe të distancohen prej tij.

“Mos e arsyetoni korrupsionin. Nuk ju bën nderë. Sa më herët distancoheni prej tij më mirë”, tha ministri Ismaili.

“Unë kam ngritur një problem nacional dhe është mirë që të gjithë ta mbështesin pa dallime partiake. Kosova nuk do të blejë më barna më shtrenjtë sesa vendet e rajonit. Nuk mundet askush që neve të na shes një bari për 25 euro, e Shqipërisë apo Maqedonisë me 2 euro. Ne nuk e pranojmë këtë. Qytetarët tanë nuk e pranojnë këtë”, ka thënë ai. /Telegrafi/

Exit mobile version