Ministri Avdullah Hoti priti sot në takim ambasadorin e ri të Francës në Kosovë Didier Chabert, të cilin e uroj për misionin e ri dhe shprehi gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve, në veçanti në fushën e ekonomisë dhe financave.
Me këtë rast, ministri Avdullah Hoti dhe ambasadori Didier Chabert diskutuan mbi zhvillimet e fundit ekonomike e fiskale në Kosovë, si dhe për mbështetjen e Qeverisë së Francës për projekte të ndryshme të cilat tashmë vetëm janë në proces e sipër, siç është projekti për përpunimin e ujërave të zeza për Rajonin e Prishtinës.
Ministri Hoti duke shprehur falënderimet për përkrahjen që shteti francez i ka dhënë Kosovës, theksoi se Qeveria e Kosovës është duke bërë reforma shumë të mëdha sa i përket krijimit të kushteve për thithjen e investimeve nga jashtë përmes ndryshimit të politikave fiskale dhe aprovimit të ligjeve të reja në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe luftimin e ekonomisë joformale në vend.
Ndërsa, ambasadori i ri i Francës në Kosovë Didier Chabert, duke falënderuar Ministrin Hoti për pritjen u shpreh se interesimi i shtetit të Francës është për zgjerimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në shumë sektorë, në mënyrë të veçantë në ekonomi. /Telegrafi/