Ministri i Financave Avdullah Hoti ka marrë pjesë në Konferencën Ministrore, të organizuar nga Banka Botërore me temë “Raportimi Financiar – Katalizator për rritje ekonomike 2016”, e cila u mbajt në Vjenë të Austrisë.
Në fillim të prezantimit të tij, Ministri Hoti foli për rëndësinë e shkëmbimit të përvojave me vendet e rajonit si domosdoshmëri në drejtim tëpërmirësimit të raportimit financiar.
Ministri i Financave Avdullah Hoti nënvizoi para panelistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë se Kosova ka shënuar progres sa i përket raportimit financiar dhe atë në drejtim të përmirësimit të transparencës së financave publike, si dhe të praktikave që lidhen me menaxhimin e financave publike.Si mjaft të rëndësishëm në këtë drejtim e theksoi intensifikimin e komunikimit dhe bashkëpunimin me qytetarë dhe biznese. Madje, ai bëri të ditur se me ndihmën e partnerëve dhe donatorëve Kosova tanimëështë në një proces të gjerë të “Reformave të të bërit biznes”.
“Të gjitha këto reforma do të jenë një nxitje për biznese që të punojnë më shumë në sektorin formal dhe kështu të përmirësojnë raportimin financiar. Megjithatë, kemi ende sfida, në veçanti lidhur me nivelin e nën-raportimit të informatave financiare nga sektori privat, si dhe me nivelin e qeverisjes së korporatave”, shtoi Ministri Hoti.
Ai në përfundim të prezantimit të tij tha se megjithëse ka ende hapësirë për përmirësim të raportimit financiar, të gjitha çështjet e ngelura do të adresohen më tej. /Telegrafi/