Ministri i Financave, Bedri Hamza u është përgjigjur kritikave të opozitës për projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2019, duke thënë se krahas rënies së numrit të të punësuarve, ka edhe rënie të atyre që kërkojnë punë.
Sipas tij nuk ka mundësi të shpjegohet zvogëlimi i vendeve të punës kur ka rritje ekonomike prej 4.2-4.3 për qind, krahas regjistrimit të bizneseve.
“Ka zvogëlim të numrit të të punësuarve, por ka edhe zvogëlim të numrit të atyre që kërkojnë punë. Dhe, në këtë rast kemi zvogëlim të normës së papunësisë. Mirëpo, kjo nuk na vendos asnjërin në pozitë komode, se tek e fundit a është norma e papunësisë 27 për qind, a 30, është e lartë, dhe fatkeqësisht është më së shumti tek të rinjtë dhe tek gjinia femërore. Sa i përket çështjes tjetër, se ka diskrepancë në mes të hyrave dhe shpenzimeve, nuk ka diskrepancë në mes të financimit dhe shpenzimeve”, u shpreh ai.
Ai komentoi edhe “buxhetin social” për të cilin u akuzua nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai tha se në këtë pikë kanë një dallim.
“Këtu dallojmë se kur po vijnë ligjet, për popullizma, shumica e deputetëve po rrahin gjoks dhe po bëjnë garë se cili po flet më shumë për atë kategori. Nëse duam me e rujtë prioritetin, që është stabiliteti mikrofiskal, atëherë Kuvend i nderuar, kujdes me ligjet dhe iniciativat ligjore të cilat kanë kosto të lartë dhe nuk i targetojnë grupet për me i nxjerrë prej varfërisë”, u shpreh ai.
Hamza tha se ndjehet keq që nuk ka mundur të rrisë më shumë se 20 për qind pensionet. Ndërsa kur foli për çështjen e veteranëve, ai tha se shifrat prej 34 mijë është prej shtatorit të vitit 2017. /Telegrafi/