Telegrafi

Ministri Gashi thotë se policëve u paguhen orët shtesë

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Bejtush Gashi ka njoftuar se në Qeveri ka paraqitur kërkesën për mjete shtesë për kompensimin e orëve shtesë për zyrtarët policorë, të cilët kanë punuar jashtë orarit të punës.

“Për realizimin e operacioneve të ndryshme policore, në ofrimin e sigurisë dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në vend si dhe për përmbushjen e objektivave dhe obligimeve kushtetuese dhe ligjore, Policia e Kosovës obligohet që të angazhojë numër të madh të personelit me orar të zgjatur”, ka thënë ministri Gashi.

Sipas ministrit, Qeveria ka miratuar kërkesën e tij që Policisë së Kosovës t’i ndahen mjete shtesë buxhetore në mënyrë që të zbatohet Ligji i Punës dhe zyrtarët të kompensohen me pagesa shtesë si kompensim për punën e realizuar gjatë angazhimeve jashtë orarit për këtë vit.