Site icon Telegrafi

Ministri i Financave Avdullah Hoti takim informues me Rrjetin e Bizneseve Shqiptare në Zvicër

Me ftesë të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër, ministri i Financave Avdullah Hoti mbajti një takim informues me bashkatdhetarët tanë në Zvicër.

Në këtë takim Ministri Avdullah Hoti i informoj të pranishmit për reformat që po bën Qeveria e Republikës së Kosovës për të lehtësuar të bërit biznes në Kosovës. Si pjesë e këtyre reformave ai shpalosi para tyre pakon e re fiskale, ligjin për Investime Strategjike, Fondin Kosovar për Sigurimin e Kredive si dhe Klauzolën e Investimeve.

Rëndësi të veçantë Ministri Hoti i kushtoi prezantimit të produktit të ri “Bono për Diasporën” që pritet të emetohet në ditën në vijim nga ana e Ministrisë së Financave, ku bëri të ditur se “Këtë vit, për herë të parë do të emetojmë letra me vlerë, dedikuar diasporës tonë. Këto letra me vlerë do të quhen Bono për Diasporën, dhe do të kenë afat maturimi prej 5 vitesh, mirëpo me mundësinë që investimi të shitet nëse paraqitet nevoja. Kjo do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme investimi për të gjithë bashkatdhetarët tanë, marrë parasysh që me ligj i tërë investimi është i garantuar nga shteti, por edhe interesi i fituar është i liruar nga tatimi.

Ministri Hoti gjithashtu i njoftoj bashkatdhetarët se në koordinim me Bankën Qendrore në aspektin e emetimit, por edhe me Ministrinë e Diasporës, do të njoftohen të gjithë bashkatdhetarët tanë në diasporë për këtë mundësi të re, ku ndër tjera u tha se Bonot për Diasporën janë mundësi tejet e leverdishme që diaspora jonë t’i investojnë kursimet e tyre në Kosovë.

Ndërsa, përfaqësuesit e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Zvicër dhe bashkatdhetarë të tjerë në këtë takim duke shprehur interesim të lartë për produktin e ri të Qeverisë së Republikës së Kosovës – Bono Thesari, përshëndetën dhe e vlerësuan lartë këtë nismë të Ministrisë së Financave. Sipas tyre kjo i mundëson diasporës të ndihmojë në zhvillimin e vendit por edhe të përfitojnë nga kjo mundësi. /Telegrafi/

Exit mobile version