Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur sot presidentin e “Des Moiner Area Community Collage” (DMACC) të Iowas, Robert Denson me bashkëpunëtorë, me të cilët ka biseduar rreth bashkëpunimit në arsim, e në veçanti në arsimin dhe aftësimin profesional.
Bytyqi ka njoftuar se në takim është biseduar rreth projektit të hapjes së Akademisë së Arsimit Profesional në Kosovë, e cila do të jetë degë e Kolegjit DMACC, transmeton Telegrafi.
Ai ka theksuar se ky kolegj do të ofrojë programe për të cilët ka më së shumti nevojë tregu i punës në Kosovë.
Shkrimi i plotë:
“Pritet së shpejti hapja e kolegjit DMACC në Kosovë.
Të dashur miq, sot prita në takim presidentin e “Des Moiner Area Community Collage” (DMACC) të Iowas, z. Robert Denson me bashkëpunëtorë, me të cilët kam biseduar rreth bashkëpunimit në arsim, e në veçanti në arsimin dhe aftësimin profesional.
Gjatë këtij takimi biseduam më detajisht për projektin e hapjes së Akademisë së Arsimit Profesional në Kosovë, e cila do të jetë degë e Kolegjit DMACC. Po ashtu, diskutuam edhe për fushat e identifikuara për programet që do t’i ofrojë ky kolegj për të rinjtë tanë, programe për të cilat ka më së shumti nevojë tregu i punës në Kosovë.
Falënderova presidentin Denson për bashkëpunim dhe për krijimin e mundësive të hapjes së këtij kolegji në Kosovë dhe shpreha gatishmërinë time dhe të MAShT që të shtyjmë përpara procedurat e themelimit të këtij kolegji në Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës”, ka shkruar Shyqiri Bytyqi në Facebook. /Telegrafi/