Telegrafi

Ministri Bytyqi përkujton maturantët e Malishevës që humbën jetën në vitin 2004, në një aksident

Sot janë bërë 14 vjet nga aksidenti në Fushë Arrëz të Shqipërisë, ku humbën jetën 15 maturantë nga Malisheva, të cilët po ktheheshin nga një ekskursion.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, duke i përkujtuar nxënësit, ka thënë se është tragjedia më e rëndë e ndodhur në Kosovën e pasluftës.

Lexo po ashtu Rrëfimet e të mbijetuarve në aksidentin e maturantëve të Malishevës, të 2004-ës

“Sot bëhen 14 vjet nga tragjedia më e rëndë e ndodhur në Kosovën e pasluftës, ku më 14 tetor 2004, një autobus ishte aksidentuar, ku humbën jetën 15 maturantë nga Malisheva, e kishin mbetur të lënduar edhe dhjetëra maturantë të tjerë, derisa me shijen e mirë të dheut amë kishin marrë rrugën e kthimit për në Kosovë, por që gëzimi i tyre u thye shpejt, pak pa mbërritur në qytetin e Fushë-Arrëzit.”

“Edhe pas kaq viteve, dhimbja për Beratin, Esatin, Elgadafin, Mifailin, Rifatin, Xhevdetin, Visarin, Agronin, Ajetin, Esatin, Labinotin, Lulzimin, Megezonin, Rruhiun dhe Xhevetin është e fortë, për faktin se ata humbën jetën në ditët më të mira të rinisë”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.