Site icon Telegrafi

Ministri britanik për Evropë, i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë për dialog konstruktiv

Ministri britanik për Evropë, Stephen Doughty, nga parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Deklarata e tij erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje të deputetit britanik, Paul Foster, anëtar i grupit “Miqtë Laburistë të Kosovës”.

Foster ngriti çështjen e marrëveshjes së sigurisë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke përmendur shqetësimet e liderëve kosovarë për situatën në kufirin verior të vendit, ku janë të pranishme trupat e KFOR-it.

“Derisa isha në Kosovë, u takova me presidenten dhe kryeministrin, të cilët ishin seriozisht të shqetësuar për hyrjet në kufirin e tyre verior, ku trupat e KFOR-it janë të stacionuara midis Kosovës dhe Serbisë. A mund të ofrojnë ministrat tanë ndonjë përditësim për marrëveshjen dypalëshe të sigurisë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar? Ajo paqe e fituar me shumë mund duhet të mbahet”, tha Foster, transmeton Klankosova.tv.

Në përgjigje, ministri Doughty theksoi rolin historik të Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me Kosovën dhe rëndësinë e kontributit të KFOR-it në ruajtjen e sigurisë në vend.

Ai vuri në dukje rolin kyç të trupave britanike në këtë mision dhe angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në bashkëpunim me partnerët rajonalë.

“Ne angazhohemi për së afërmi me partnerët tanë në Kosovë dhe në të gjithë rajonin. Vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, përfundoi Doughty.

Exit mobile version