Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, priti në takim përfaqësuesit e Bankës Botërore, të prirë nga Gloria La Cava, koordinatore e lartë e programit me bazë në Uashington, me të cilët ka biseduar në lidhje me mundësitë e bashkëpunimit.
Beqaj, me këtë rast shprehi gatishmërinë e tij për bashkëpunim me këtë institucion në fushat si, përkrahja e inovacioneve dhe ndërmarrësve, me fokus tek të rinjtë dhe gratë ndërmarrëse.
Përfaqësuesit e Bankës Botërore në Kosovë u shprehen të kënaqur me themelimin e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ata, po ashtu u interesuan në lidhje me fushëveprimtarinë e Ministrisë, si dhe prioritetet e saj.
Në këtë kuadër, ministri Beqaj, i ka informuar mysafirët për objektivat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë sa i përket përkrahjes së inovacioneve dhe ndërmarrësve, përmes fondit për inovacion dhe ndërmarrësi, i cili do të përdoret si mbështetje bazike që do të mundësojë rritjen e kapaciteteve prodhuese të ndërmarrësve privatë, në veçanti atyre që udhëhiqen nga të rinjtë dhe gratë.
Ministri Beqaj më tej ka theksuar se prioritet i Ministrisë është edhe themelimi i Qendrave të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, të cilat do të mundësojnë inkubimin e bizneseve, rritjen e kapaciteteve të tyre dhe përgatitjen për konkurrencë efikase me mundësi të eksportit.
“Nga totali i buxhetit të parashikuar për vitin e ardhshëm prej 10 milionë euro, 9.5 milionë do të përdoren për përkrahje të inovacioneve dhe ndërmarrjeve private në tri shtylla kryesore: në edukim përmes bashkëpunimit me institucionet arsimore, infrastrukturën fizike dhe ligjore dhe në ndihma direkte në formë të subvencionimit”, tha ministri Beqaj. /Telegrafi/