Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka vizituar mëngjesin e kësaj të marte kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Mediat serbe raportojnë se Aliu ka shfrytëzuar momentin kur një numër i vogël njerëzish janë mbledhur para objektit komunal dhe ka hyrë për të vizituar kryetarin e sapoemëruar, i cili ka mbi 10 ditë që ka mbetur i bllokuar aty.
Pasi ka dalë nga takimi, Aliu është përcjellur nga Policia e Kosovës pasi protestuesit kanë gjuajtur ngjyrë të kuqe në drejtim të veturës së tij.
Ndryshe, ditë më parë në media u raportua se KFOR-i ia ka ndaluar ministrit Aliu të shkojë ta takojë kryetarin e Komunës së Leposaviqit.
Ky lajm u demantua më pas nga ministri, i cili tha se “përkundrazi, KFOR-i na ka ofruar siguri, me një njësit të tyre që e kanë dërguar pikërisht për këtë qëllim”.
“Në fakt, ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangim tensionimin e situatës nga bandat kriminale që silleshin përreth”, ka shkruar Aliu në Facebook. /Telegrafi/