Telegrafi

Ministrat në dorëheqje të Listës Serbe zhvillojnë aktivitetet e tyre në SHBA

Edhe pse zyrtarisht ministrat nga Lista Serbe kanë ngrirë pozitat e tyre, ata janë duke zhvilluar aktivitetet si pjesë e kabinetit të Qeverisë.

Zëvendëskryeministri nga radhët e Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, njëherësh ministër për Kthim dhe Komunitete sipas njoftimeve në faqen zyrtare të kësaj ministrie po zhvillon takime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) me zyrtarë të lartë amerikanë e kongresmenë ku ka diskutuar për çështjen e serbëve të Kosovës.

Pavarësisht se ministrat nga radhët e Listës serbe kanë dhënë dorëheqje, por dorëheqje kjo që nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës, zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Donjeta Gashi në një përgjigje dhënë Telegrafit ka thënë se ministritë të udhëhequra nga Lista Serbe janë funksionale.

“Ministritë janë funksionale, s’ka asnjë problem”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, analisti Belul Beqaj për Telegrafin u shpreh se nëse ministritë e përmendura janë funksionale atëherë i bie se e kemi Qeverinë e ndarë.

Beqaj tha se ky pushtet ka instaluar pushtet-bërjen e dy standardeve, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën.

“Nëse ministritë e përmendura janë funksionale atëherë i bie se e kemi Qeverinë e ndarë. Njëra që është publike dhe tjetra që është funksionale por jopublike. Pra, ky pushtet ka instaluar pushtet-bërjen e dy standardeve të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën. Nëse ato ministri janë funksionale jashtë mbledhjeve publike, atëherë kjo Qeveri po instalon një praktikë të re antikushtetuese e cila mund të shërbej për të degraduar edhe më shumë politik-bërjen publike shtetërore”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij, me këtë çështje duhet të merret Prokuroria e Shtetit dhe Gjykata.

“S’do, mend se kjo është çështje me të cilën duhet të merret Prokuroria e Shtetit dhe Gjykata”, potencoi analisti Belul Beqaj.

Ndryshe, Lista Serbe është duke udhëhequr aktualisht me dy ministri, Ministrinë për Kthim dhe Komunitete dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit. Të dy ministrat kanë deklaruar se kanë hequr dorë nga pozita e tyre, dorëheqje të cilën Qeveria e Kosovës deri më sot nuk e ka pranuar.

Ndërkaq, javën e kaluar ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo është shkarkuar nga detyra nga kryeministri Haradinaj, kërkesë kjo e Partisë Social-demokrate. /Telegrafi/